Naim Selmonaj është artist bashkëkohor me reputacion të lartë, ka marrë pjesë në ekspozita të shumta të pavarura në vendlindje dhe në botë, është autor i një opusi shumë të gjerë e kompleks të skulpturave dhe pikturave, është shpërblyer shumë herë
Shpesh metali lë përshtypjen e ftohtësisë, kontakti me sipërfaqen metalike mund të jetë i pakëndshëm, i neveritshëm, por bota e Naimit, jep një përshtypje të dytë, një përshtypje intimiteti, ngrohtësie, madje edhe miqësie.
Nga ana tjetër, përshtypja që lidhet me metalin janë brutaliteti dhe pandjeshmëria, forca, papërkulshmëria, qëndrueshmëria, por bota e figurave metalike të Naim Selmonajt është formuar saktësisht nga linja të shumta dhe krijon një përshtypje të dukshme dhe të prekshme butësie, dhembshurie… Në të njëjtën kohë, të krijohet përshtypja se ky grup figurash metalike do të flasë me zë të lartë, shprehjet e pamjes së tyre, flasin në favor të kësaj.
Duke punuar me metal, Naim Selmonaj zbulon lirinë e tij magjike. Ai është një shembull se si një skulpture mund t’i jepet një pamje që do të jetë edhe moderne dhe klasike. Me këto vepra, ai krijon hapësira emocionuese që komunikojnë me të gjitha shqisat, përmes një zinxhiri të pandërprerë mes skulpturës, vizatimit, arkitekturës dhe mjedisit.
Për rrugëtimin e këtij artisti, ndiqni intervistën të realizuar nga Telegrafi.

Z. Selmonaj, kur e zbuluat për herë të parë anën tuaj krijuese dhe sa kohë keni që merreni me art?
Më kujtohen vitet e mija të fëmijërisë kur në shkollën fillore bëja vizatime e pastaj edhe pikturoja. Është një instinkt i hershëm që nuk po më lë të qetë, tash e 25 vite.
Sikur çdo i huaj në një vend tjetër, fillimet e para të karrierës si gjithmonë janë të vështira, por me integrim në vendin ku jeton, me disiplinë, shumë punë e kualitet dhe më sjellje të mirë – vjen respekti i ndërsjellë. Pastaj vjen përkrahja e vlerësimi i skulpturës. Kësisoj, hap pas hapi, jam këtu ku jam.
Më pëlqen metali, është një nga produktet më të përdorshme në botë. Hekuri është material i cili çdoherë është modern dhe aktual, produkt i të sotmes dhe së ardhmes.